Monday, May 20
Shadow

Kompania pas resortit të Sazanit u themelua një vit më parë në parajsë fiskale

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka reaguar për herë të parë në lidhje me projektin për ndërtimin e një resorti në ishullin e Sazanit. Në një reagim për ATSH, AIDA bëri të ditur se pranë zyrave të saj është paraqitur shprehje interesi nga kompania “Atlantic Incubation Partners LLC” për realizimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit. Sipas AIDA-s, projekti është në fazën e asistimit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, lidhur me plotësimin e kritereve.

Atlantic Incubation Partners LLC është një kompani e themeluar në 5 prill të vitit të kaluar në shtetin e Delaware. Kjo është e njëjta kompani e cila ka shprehur interesin për ndërtimin e hotelit në Beograd, në vendin ku dikur ishte shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Milosheviçit.

Nuk dihet se kush është entiteti apo aksionerët fundore të kompanisë Atlantic Incubation Partners, pasi shteti i Delaware ofron sekret korporativ. Publikisht pas projektit për resortin në ishullin e Sazanit u deklarua Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, çka më vonë u konfirmua edhe nga qeveria shqiptare.

Aktualisht Delaware konsiderohet si një nga parajsat fiskale me të mëdha të botës, jo vetëm për taksat e ulëta, por edhe për sekretin korporativ. Që nga viti 1965, Delaware ka krijuar peizazhin ideal për formimin e një kompanie dhe është një nga juridiksionet më të njohura në botë për të inkorporuar një biznes në det të hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *